Ata
Kur vërejta se ajo po bëheshe gjithmonë e më e shkurtër, u çudita pak. Lëvizte lartë e poshtë, dhe kujtoja se kishte qenë pak më e gjatë. E kujtoj mirë, te trupi im arrinte pak më lartë, pak më afër fytyrës sime, dhe kur ngrinte duart ma kalonte, por tani jo. E çuditshme. Në këtë vend të vogël, fare të vogël që quhet vendi, ajo ecte lartë e poshtë, dhe shkurtoheshe sa vinte e më shumë. Po e shihja, mirë po e shihja. Në ca raste, i fërkoja fortë sytë, por edhe kjo kot, e dija se ajo që vëreja ishte e vërtet. Kot i fërkoja sytë, më mirë t’i hiqja nga vendi. Gjithsesi, më mirë që nuk i hoqa. Futesha te ajo e çarë, atje qendroja duke dëgjuar lëvizjet, por edhe mpakjen e saj.
Nuk e di pse duhet të kem keqardhje që ajo bëheshe gjithmonë e më e vogël, gjithmonë e më afër tokës. Nuk e di vërtet... ndoshta kjo do të thotë që jam në rregull. Po, ndoshta do të thotë që s’kam pse të çaj kokën...
Varja...
Flokët nuk i lyente më. Prej ca kohës më duket. Po, prej ca kohësh nuk i lyente më. Asaj i qenë zbehur, dhe siç duket e bënte kastile. Me dashje deshe të tregonte që flokëve po i ikte shkëlqimi. Eh, ç’është ajo, ç’është! Rrezik edhe me shkurtësinë; rrezik e bënte vetë. Shkurtoheshe dita ditës sikur për të thënë diçka, por prapësëprapë ajo lëvizte lartë e poshtë, lartë e poshtë si milingonat e dheut. Ndoshta do të tregojë që jam e fortë, jam këtu. Një mallkim, një mallkim.
Edhe ai, edhe ai nuk i lyente më floket. Më parë e bënte, dhe ndiheshe krenar, por tani jo. A është më krenar? Nuk e di fiks. Por siç vërej, ai është krenar për ca gjëra koti. Ulet, del, ulet, shikon ato çfarë shikon kur është shtrirë e i ulur. Merr pultin e kontrollon lartë e poshtë. Kontrollon kot së koti, nga çdo vend. Deri në një farë mase nuk dua t’i shoh më. Jo deri në një farë mase, por plotësisht. Me githë zemër nuk dua t’i shoh më...
Ajo, një e zbehur që mban një të zbehur. Paguhet për këtë. Kjo që mpaket e mpaket dita ditës duke ecur lartë e poshtë, kujdeset për një të mpakur duke qenë vetë e mpakur dhe zbehet e zvogëlohet, jo se mban atë, por vetëvetiu, se koha i erdhi, ngushtohet e ngushtohet në atë trup të dobësuar. Do doja të kishte dhe një të zbehur tjetër të mbante këtë të zbehur, këta të zbehtë, por unë jam i tredhur. I tredhur. Por unë jam dhe mashkull, jam dhe mashkull. Nuk më lejohet të jem i dobët. Duhet të paraqitem, duhet të paraqitem... paraqitem.
A po më mallkojnë? Ai dhe ajo, me shumë mundësi kanë bërë një pakt. Ata dëshirojnë të më mallkojnë për gjithë vitet e jetës sime, madje deri në këtë pafundësi të të qenurit gjallë. Me shumë mundësi po... Po më mallkojnë që tani. Ajo duke u zvogëluar, e duke ecur lartë e poshtë, lartë e poshtë, dhe ai duke qendruar ulur, duke dalë, e duke qendruar shtrirë e vërejtur ato që vëren e nuk vëren. Jam i bindur, duan të më torturojnë. Ndaj, duhet të iki. Mos t’i shoh më. Ndoshta atëherë do të rriten, do të flasin e do të jenë plot gjallëri.
Duhet të iki. Dhe ika. Nuk i shoh më. Edhe kur i përqafova fortë, i mbylla sytë. Edhe puthjet e tyre i shmanga. Dihet, ishin mallkime.
Jashtë nuk ka diell, as shi, as erë. Zvarrë më marrin, por prapësëprapë duhet të eci deri në vdekje. Megjithatë, më mirë do ishte të vrapoj drejt saj.


